Drejt përmbylljes seanca paraprake për Veliajn dhe Xoxën, vendimi pritet më 9 shkurt

Seanca paraprake, në të cilën po shqyrtohet kërkesa për kalimin për gjykim të çështjes penale ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 16 të pandehurve të tjerë për korrupsion dhe pastrim parash, pritet të përmbyllet në seancën e radhës, e cila do të zhvillohet të hënën, më 9 shkurt.

Seanca paraprake ka në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për kalimin e çështjes për gjykim ndaj Erion Veliajt, Ajola Xoxës, ish-deputetes Klotilda Bushka dhe personave të tjerë të përfshirë, mes tyre pronarë kompanish ndërtimi dhe bashkëpunëtorë të çiftit Veliaj–Xoxa.

Procesi ka nisur më 29 shtator 2025, por është shtyrë disa herë për shkak të mungesës së avokatëve, zëvendësimit të mbrojtjes ligjore nga ana e Veliajt dhe kërkesave të mbrojtjes për kohë shtesë për përgatitjen e qëndrimit në seancë paraprake. Shtyrjet vijuan edhe gjatë muajve tetor, nëntor, dhjetor dhe janar.

Gjatë një prej seancave, Veliaj largoi si mbrojtës avokatin Artan Gjermëni dhe gjykata i caktoi kryesisht avokaten Valentina Teodoresku. Edhe në muajin janar, seanca nuk arriti të përmbyllej për shkak të mungesës së një avokati dhe kërkesave për kohë konsultimi me të pandehurin.

Seanca e zhvilluar më 2 shkurt u shty për shpallje vendimi, i cili pritet t’u komunikohet palëve në proces në seancën e radhës.

Kodi i Procedurës Penale parashikon që gjykata të vendosë mbi kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq brenda 30 ditëve nga depozitimi i saj. Kërkesa për kalimin për gjykim u depozitua më 10 shtator 2025, duke rezultuar një tejkalim i afatit prej disa muajsh.

Prokuroria e Posaçme ka deklaruar më herët se shtyrjet janë shkaktuar nga mungesa të pajustifikuara dhe kërkesa të pambështetura të mbrojtjes, ndërsa avokati i Veliajt ka pretenduar se i pandehuri nuk është lejuar të njihet personalisht me aktet e dosjes, e cila përmban rreth 61 mijë faqe materiale hetimore.

Gjykata e Posaçme nuk ka komentuar publikisht mbi këto pretendime, duke theksuar se shprehet vetëm përmes vendimeve.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt dhe akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ka ndërtuar një skemë të gjerë korrupsioni dhe pastrimi parash përmes rrjeteve kompanish dhe organizatash jofitimprurëse, për të përfituar fonde publike dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë. Sipas akuzës, përfitimet arrijnë në rreth 1 milion euro.

Kërkesat e tij për ndryshim të masës së sigurisë “arrest në burg” janë rrëzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit. Paralelisht, Gjykata Kushtetuese ka vendosur shqyrtimin e ankesës së Veliajt mbi masën e sigurisë, ndërsa një vendim i mëparshëm i kësaj gjykate ka rrëzuar aktin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033