BE akuzon TikTok-un për nxitje varësie te përdoruesit, kërkon ndryshim rrënjësor të dizajnit

Bashkimi Europian ka akuzuar platformën online TikTok se nxit varësinë te përdoruesit, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë, përmes funksioneve që inkurajojnë përdorimin e pandërprerë të aplikacionit. Sipas Komisionit Europian, rezultatet paraprake të hetimit tregojnë se TikTok nuk merr mjaftueshëm parasysh ndikimin që këto mekanizma kanë në shëndetin fizik dhe psikologjik të përdoruesve.

Komisioni vlerëson se funksione si “scroll-i i pafund”, aktivizimi automatik i videove dhe sistemi i rekomandimeve shumë të personalizuara krijojnë një përdorim kompulsiv të platformës. Si masa konkrete, BE sugjeron heqjen e “scroll-it të pafund”, vendosjen e pushimeve të detyrueshme gjatë përdorimit dhe rishikimin e thellë të algoritmeve të rekomandimit.

Sipas Komisionit, TikTok injoron sinjale të rëndësishme që lidhen me mbrojtjen e përdoruesve të mitur, përfshirë përdorimin e aplikacionit gjatë orëve të natës. Komisarja për Digjitalizimin, Henna Virkkunen, deklaroi se platforma duhet të ndryshojë mënyrën e funksionimit në Europë për të mbrojtur minorenët dhe shëndetin e tyre.

Hetimi ndaj TikTok nisi në shkurt të vitit 2024 dhe ishte i pari i këtij lloji nën ligjin europian për Shërbimet Digjitale, i cili synon të garantojë transparencë dhe të kufizojë efektet negative të platformave online, veçanërisht për të rinjtë.

Nëse qëndrimi i Komisionit konfirmohet, TikTok rrezikon gjoba deri në 6 për qind të xhiros së tij vjetore globale.

Nga ana e saj, kompania kineze i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato të pabaza dhe ka deklaruar se do të mbrohet me të gjitha mjetet ligjore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033