Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që parashikon vendosjen e tarifave deri në 25 për qind për mallrat që importohen në SHBA nga vende që blejnë naftë nga Irani.
Urdhri nuk vendos automatikisht tarifat, por i jep presidentit bazën ligjore për t’i zbatuar ato duke filluar nga sot, për mallrat që vijnë nga çdo shtet që “blen, importon ose përfiton drejtpërdrejt apo tërthorazi mallra ose shërbime nga Irani”.
Sipas urdhrit, Departamenti i Tregtisë, në konsultim me Departamentin e Shtetit, do të ketë detyrën të identifikojë vendet që blejnë naftë iraniane dhe t’i paraqesë presidentit rekomandime për zbatimin e tarifave.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur po zhvillohen bisedime mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe iranianë në Oman, pas disa javësh tensionesh dhe kërcënimesh të ndërsjella mes palëve.