Një grup prej 75 kongresmenësh amerikanë i janë drejtuar me një letër Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, duke kundërshtuar vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për pezullimin e përpunimit të vizave të emigracionit për 75 vende, mes të cilave edhe Shqipëria. Ligjvënësit e cilësojnë këtë masë si diskriminuese, të pajustifikuar dhe me pasoja të rënda sociale e ekonomike.
Në letrën e tyre, kongresmenët shprehin shqetësim të thellë për mënyrën se si është marrë dhe komunikuar vendimi, duke theksuar se një ndryshim kaq i gjerë politikash, që prek qindra mijëra persona çdo vit, është bërë pa transparencë dhe pa sqarime të mjaftueshme. Ata nënvizojnë se pezullimi përfshin afro 40 për qind të vendeve të botës dhe prek drejtpërdrejt familjet e shtetasve amerikanë.
Sipas tyre, masa nuk kufizohet vetëm në një kategori vizash, por ndalon të gjitha vizat e emigracionit, përfshirë ribashkimin familjar, vizat e sponsorizuara nga punëdhënësit, punonjësit fetarë, programin e diversitetit dhe vizat për rezidentët që kthehen në SHBA. Kongresmenët theksojnë se, bazuar në të dhënat zyrtare, vendet e përfshira në pezullim përbënin qindra mijëra viza emigracioni çdo vit dhe se një pezullim i pacaktuar mund të ndikojë pothuajse gjysmën e emigrantëve të ligjshëm.
Në letër vihet theksi edhe te ndikimi i drejtpërdrejtë që kjo politikë do të ketë mbi zgjedhësit amerikanë. Sipas kongresmenëve, komunitetet që ata përfaqësojnë përfshijnë individë nga të gjitha vendet e prekura dhe vendimi rrezikon të ndajë familje, të pengojë ribashkimin e tyre, të ngadalësojë zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të dobësojë rolin e organizatave fetare në komunitet.
Ligjvënësit argumentojnë se justifikimet e dhëna nga administrata për parandalimin e abuzimeve me sistemin e emigracionit dhe shmangien e barrës publike nuk mbështeten në të dhëna konkrete. Ata kujtojnë se ligji amerikan parashikon vlerësime individuale për çdo aplikant dhe pyesin pse është zgjedhur një ndalim i përgjithshëm për të gjithë shtetasit e këtyre vendeve.
Në këtë kuadër, kongresmenët i kanë drejtuar administratës pesë pyetje konkrete, duke kërkuar shpjegime ligjore, të dhëna statistikore që justifikojnë vendimin, një analizë kosto-përfitim dhe afate të qarta për përfundimin e rishikimit të politikave të emigracionit. Ata i kanë vendosur afat Departamentit të Shtetit deri më 20 shkurt për të dhënë përgjigje.
Letra përfundon me kërkesën e qartë për tërheqjen e vendimit, duke e cilësuar atë si të prapambetur dhe më shumë dëmtues sesa të dobishëm për interesin publik amerikan.
Vendimi për pezullimin e përpunimit të vizave u njoftua më 14 janar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Autoritetet amerikane kanë sqaruar se intervistat për vizat e emigracionit do të vijojnë, se personat me shtetësi të dyfishtë që nuk përfshihen në listën e 75 vendeve përjashtohen nga masa dhe se vizat e lëshuara më parë nuk do të revokohen. Udhëtimet turistike dhe vizitat drejt Shteteve të Bashkuara mbeten të pandikuara nga ky vendim.