Pas një viti bllokimi, qeveria heq kufizimet dhe rikthen aksesin në TikTok

Qeveria ka vendosur të heqë bllokimin e rrjetit social TikTok, një vit pas ndërprerjes së aksesit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Vendimi është marrë sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Sipas vendimit të miratuar, hiqen masat e përkohshme që kishin ndërprerë aksesin në platformën online “TikTok”, pas vlerësimit se problematikat e evidentuara më herët në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital janë adresuar.

Në vendim përcaktohet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me entet rregullatore përkatëse, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për realizimin e heqjes së kufizimeve, duke respektuar njëkohësisht dispozitat ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Me këtë vendim, shfuqizohet edhe vendimi nr. 151, datë 6 mars 2025, i Këshillit të Ministrave, i cili parashikonte marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës “TikTok”.

Bllokimi i rrjetit social ishte ndërmarrë si masë parandaluese për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e përmbajtjeve në sigurinë publike dhe sociale. Rikthimi i aksesit shënon një ndryshim të qëndrimit të qeverisë ndaj përdorimit të platformës në vend.

Lajmi pritet të pasohet nga detaje të mëtejshme mbi zbatimin praktik të vendimit dhe kushtet e funksionimit të platformës në territorin shqiptar.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033