Goditet trafiku i emigrantëve në Korçë, arrestohen tre shtetas sudanezë; njëri ishte dëbuar më herët nga Shqipëria

Policia e Korçës ka finalizuar dy operacione kundër dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, duke arrestuar tre shtetas nga Sudani, të dyshuar se vepronin në mënyrë të organizuar për kontrabandimin e emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas autoriteteve, tre të arrestuarit kanë ndihmuar gjithsej 31 emigrantë për të kaluar ilegalisht kufirin e gjelbër në zonën e PKK Kapshticë. Hetimet tregojnë se aktiviteti është zhvilluar në dy raste të ndara, të goditura brenda 24 orëve.

Gjatë operacionit të parë, policia arrestoi dy shtetas sudanezë, 27 dhe 20 vjeç, të cilët u kapën në një banesë të braktisur në fshatin Qatrom, ku ishin fshehur së bashku me 16 emigrantë, me qëllim shmangien e shërbimeve policore. Njëri prej tyre rezulton të ketë qenë i dëbuar më parë nga Republika e Shqipërisë, pasi ishte ndaluar për të njëjtën veprimtari kriminale.

Në operacionin e dytë, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë arrestuan një tjetër shtetas sudanez, 30 vjeç, i dyshuar se ka ndihmuar 15 emigrantë për të kaluar ilegalisht kufirin. Emigrantët u kapën në territorin e fshatit Drenovë.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto raste dhe për dokumentimin e plotë të rrjetit të dyshuar të trafikut të emigrantëve. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.

Operacionet vijnë në kuadër të përpjekjeve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme që synojnë kalimin e emigrantëve drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesave, përmes kufijve të gjelbër.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033