Kryeministri Edi Rama është nisur sot drejt Romës për një vizitë zyrtare në Vatikan, ku do të pritet në takim nga Papa Leone XIV. Kreu i qeverisë shoqërohet në këtë vizitë edhe nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Sipas axhendës zyrtare, vizita do të nisë në Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku Kryeministri Rama do të pritet në oborrin “San Damaso” nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë. Më pas, ai do të zhvillojë një takim me Papa Leone XIV në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik.
Programi parashikon gjithashtu një vizitë në Bazilikën e Shën Pjetrit, përfshirë ambientet e njohura si Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Kapela Sistina dhe altari i Shën Gjon Palit II.
Në përfundim të qëndrimit në Vatikan, Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij do të vizitojnë vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore. Vizita zyrtare përfshin edhe takime të tjera, mes tyre një takim me Kardinalin Pietro Parolini, Sekretar Shteti i Vatikanit.
Kjo vizitë vjen në kuadër të marrëdhënieve të vazhdueshme institucionale mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë dhe pritet të fokusohet në çështje me interes të përbashkët në planin diplomatik dhe ndërkombëtar.