Një bari 65-vjeçar nga fshati Mezhgoran i Tepelenës është shpallur i humbur prej tre ditësh, ndërsa autoritetet kanë intensifikuar kërkimet pas indicieve që ai mund të jetë marrë nga rrjedha e lumit Vjosë.
Sipas njoftimit zyrtar, Ylli Dine është denoncuar si i humbur nga familjarët e tij, pasi kanë humbur çdo kontakt me të. Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë janë vënë në lëvizje për lokalizimin e tij.
Gjatë kontrolleve, pranë bregut të lumit Vjosë janë gjetur kërraba dhe velenxa e 65-vjeçarit, elemente që kanë forcuar dyshimet se ai mund të ketë rënë në ujërat e rrëmbyeshme të lumit. Për këtë arsye, operacioni i kërkim-shpëtimit është përqendruar aktualisht në shtratin dhe brigjet e Vjosës.
Në terren ndodhen forcat e Policisë së Gjirokastrës, të cilat po vijojnë kërkimet për gjetjen e 65-vjeçarit, ndërsa hetimet po zhvillohen për të sqaruar rrethanat e zhdukjes së tij. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një konfirmim zyrtar mbi fatin e bariut, ndërsa operacioni pritet të vijojë edhe në orët në vijim.