Irani dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë më 6 shkurt bisedime diplomatike në Oman, në një përpjekje për të ulur tensionet mes dy vendeve. Për momentin, negociatat nuk parashikohen të jenë të drejtpërdrejta, çka do të thotë se palët nuk do të jenë të pranishme në të njëjtën dhomë gjatë diskutimeve.
Sipas informacioneve të bëra publike, vendimi për zhvillimin e bisedimeve në Oman është marrë pas pranimit nga ana e administratës amerikane të kërkesës së Teheranit për zhvendosjen e takimit nga Turqia në Muskat. Ndërkohë, konsultimet për përbërjen e delegacioneve dhe pjesëmarrjen e aktorëve të tjerë rajonalë vijojnë, ndërsa raportohet se i vetmi zyrtar nga rajoni që mund të jetë i pranishëm është kryeministri i Katarit.
Edhe pas incidenteve të fundit në Gjirin Persik, Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se takimi mbetet i planifikuar dhe se presidenti amerikan vijon të jetë i angazhuar në rrugën e diplomacisë. Megjithatë, nga Uashingtoni është përsëritur paralajmërimi se të gjitha opsionet mbeten të hapura nëse procesi i negociatave dështon.
Nga ana iraniane, ministri i Jashtëm Abbas Araghchi ka mandat që në këtë fazë të trajtojë vetëm çështjen e programit bërthamor. Në fillim të janarit, presidenti amerikan kishte deklaruar se ishte i gatshëm të ndërmerrte veprime ushtarake, duke akuzuar regjimin iranian për vrasjen e mijëra protestuesve gjatë demonstratave të brendshme.
Në prag të takimit, është diskutuar edhe mundësia e anulimit të ftesave për Turqinë dhe disa vende arabe si vëzhguese, çka do të hapte rrugën për një format më të ngushtë negociatash mes përfaqësuesve amerikanë dhe iranianë.
Ndërkohë, prania ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme mbetet e lartë, me rreth dhjetë luftanije të dislokuara në rajon. Së fundmi, aeroplanmbajtësja amerikane “Abraham Lincoln” rrëzoi një dron iranian që iu afrua, një incident që nuk ka ndikuar në planifikimin e bisedimeve. Ngjarja është interpretuar nga vëzhguesit si një provokim për të testuar nivelin e gatishmërisë së forcave amerikane, të cilat vijojnë të qëndrojnë në alarm në rajon.
Bisedimet e së premtes pritet të shihen si një test i rëndësishëm për vullnetin e palëve për të shmangur përshkallëzimin dhe për të rikthyer dialogun në një fazë më konkrete.