Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre persona, të dyshuar për ushtrim të veprimtarisë financiare pa licencë, pastrim parash dhe shkelje të masës së sigurisë. Sipas hetimeve, të pandehurit kanë dhënë mbi 200 mijë euro hua me fajde, duke përfituar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë shumë herë më të madhe se shumat e dhëna.
Njëri prej të pandehurve ndodhej nën masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, por, sipas Prokurorisë, gjatë ditës largohej nga banesa për të vijuar aktivitetin e paligjshëm. Gjatë kontrollit në banesë janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm sendesh dhe dokumentesh.
Mes materialeve të sekuestruara përfshihen kontrata noteriale shitblerjeje për pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kontrata dhurimi, hipoteke dhe pengu, gjithsej rreth 92 dokumente e sende, si dhe mjete identifikimi, telefona celularë, çelësa automjetesh dhe disa automjete të konstatuara brenda dhe jashtë oborrit të banesës.
Nga hetimet rezulton se tre të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtari kredidhënieje faktike, të maskuar si huadhënie civile, pa qenë të pajisur me licencë nga Banka e Shqipërisë. Ata vendosnin garanci reale, hipotekë ose peng, mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, duke përcaktuar afate të shkurtra shlyerjeje, kryesisht 3-mujore, dhe duke lëvizur fonde në mënyrë të përsëritur dhe të organizuar.
Sipas të dhënave të administruara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, është provuar se të pandehurit kanë përvetësuar pasuri të paluajtshme për shkak të mosshlyerjes së borxheve, ndërsa vlera e këtyre pasurive rezulton shumë herë më e lartë se shumat e dhëna hua. Prokuroria konstaton se janë dhënë mbi 200 mijë euro si para me fajde ndaj një numri të konsiderueshëm personash.
Po ashtu, për shuma relativisht të vogla, që varionin nga 1.000 deri në 2.000 euro, janë vendosur si garanci pasuri të luajtshme, kryesisht automjete, të cilat më pas kanë kaluar në pronësi të të pandehurve dhe kanë pasur vlerë disa herë më të madhe se borxhi fillestar. Hetimet tregojnë se janë përdorur edhe kontrata shitblerjeje automjetesh fiktive, të nënshkruara si garanci për huatë, të cilat anulohej ose zëvendësoheshin në rast shlyerjeje, ndërsa në rast mospagese automjetet shiteshin pa u kaluar formalisht në pronësi të debitorëve.
Prokuroria ka konkluduar gjithashtu se veprimet e të pandehurve përmbushin elementët e veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, duke transformuar dhe futur në qarkullim ekonomik të ardhura me origjinë kriminale përmes transaksioneve me pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, përdorimit të llogarive bankare dhe regjistrimit të pasurive në emër të personave të ndryshëm.
Sipas ekspertimeve kontabël, për të tre të pandehurit janë konstatuar mospërputhje të theksuara mes të ardhurave të ligjshme dhe pasurive të krijuara, me bilance negative financiare, çka, sipas Prokurorisë, dëshmon se pasuritë e përfituara janë produkt i drejtpërdrejtë i veprimtarisë kriminale.