Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, ka sqaruar se vonesat në pagesën e antidodës për punonjësit e pastrimit dhe gjelbërimit kanë ardhur si pasojë e një problemi teknik në sistemin online të Ministrisë së Financave.
Ajo garantoi se problematika është tashmë e zgjidhur dhe se në ditët në vijim pagesat do të kalojnë në llogaritë bankare të punonjësve përkatës.
Mersini theksoi gjithashtu se Bashkia e Vlorës po rishikon problematikat ekzistuese në sektorin e pastrimit, me synimin për përmirësimin e shërbimit në qytet.
Sipas saj, në Vlorë do të vendosen kontenierë të rinj, ndërsa është rishikuar edhe orari i pastrimit, në mënyrë që të ketë një ndikim më të drejtpërdrejtë dhe më efikas në mirëmbajtjen e pastërtisë së qytetit.