Policia e Shtetit ka ekzekutuar deri më tani 20 nga 33 masat e sigurisë të dhëna nga Prokuroria e Durrësit në kuadër të hetimit për çështjen e mbetjeve të rrezikshme që lidhen me kompaninë Kurum.
Hetimet kanë zbuluar se brenda 102 kontejnerëve me mbetje të kësaj kompanie, të destinuara për eksport drejt Tajlandës përmes shoqërisë “Sokolaj” sh.p.k., ishte futur hiri i furrave të metalurgjikut, i klasifikuar si mbetje e rrezikshme.
Sipas dokumentacionit të Prokurorisë, rezulton se të dyja kompanitë kanë kryer një sërë veprimesh me qëllim fshehjen e natyrës së vërtetë të mbetjeve të ngarkuara në kontejnerë.
Analizat laboratorike dhe aktet e ekspertimit kanë konfirmuar se bëhet fjalë për mbetje të koduara 10 02 07*, të cilat cilësohen si të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe për mjedisin.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për ekzekutimin e plotë të masave të sigurisë të mbetura.