Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë ka reaguar lidhur me debatin për pagat e gjyqtarëve, duke theksuar se çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.
Në reagimin e saj, shoqata nënvizon se çdo ndryshim ligjor që sjell regres nga standardet e njohura më parë dhe që rezulton në ulje të pagave të magjistratëve përbën cenim të garancive kushtetuese që mbrojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Shoqata e Prokurorëve thekson se gjykimi kushtetues i iniciuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga presione të jashtme apo nga instrumentalizimi i opinionit publik. Sipas saj, vetëm një proces i lirë nga ndikimet politike dhe publike garanton respektimin e rendit kushtetues.
Në deklaratë shprehet besim i plotë në Gjykatën Kushtetuese, e cilësuar si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare mbi këtë çështje. Shoqata shpreh gjithashtu mbështetjen për çdo përpjekje institucionale dhe civile që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend.