Tregu shqiptar i mishit po mbushet gjithnjë e më shumë me produkte të importuara. Aktualisht, shumica e produkteve të mishit dhe e sallamerive që përpunohen dhe shiten në tregjet dhe dyqanet shqiptare vijnë nga importi, kryesisht nga shtete si Brazili dhe vende të tjera ku prodhimi i mishit është masiv.
Prodhimi vendas mbulon vetëm një përqindje të vogël të tregut, ndërsa shpesh produktet e importuara tregtohen si mish vendi. Mishi i viçit, por edhe i gjedhëve të tjera, importohet gjithashtu nga vendet fqinje. E njëjta situatë paraqitet edhe me mishin e pulës, i cili vjen si nga shtete të ndryshme me standarde dhe ligje të ndryshme, ashtu edhe nga kapanonet e pularive brenda vendit.
Konsumatorët shqiptarë shpesh blejnë mish pa pasur informacion të qartë nëse ai është prodhim vendas apo importi. Kjo paqartësi vihet re jo vetëm në dyqanet e mishit, por edhe në markete, ku pula shitet pa dalluar qartë nëse është mish pule nga kapanonet shqiptare apo produkt i importuar.
Për këtë arsye, institucionet përgjegjëse duhet të shtojnë kontrollet në tregje dhe në pikat e shitjes së mishit, me qëllim rritjen e transparencës dhe garantimin e informimit të saktë për konsumatorët mbi atë që ata konsumojnë.