Dy nga tre tifozët e PAOK-ut që u plagosën në aksidentin tragjik në Rumani janë nisur sot drejt Greqisë me një avion spitalor, ndërsa pasditen e kësaj të mërkure pritet edhe kthimi në Selanik i trupave të shtatë viktimave që humbën jetën në ngjarje.
Sipas të dhënave, avioni spitalor u nis nga aeroporti i Timisoarës në orët e paradites, duke transportuar dy të plagosurit, të cilët kishin marrë trajtim mjekësor në spitalet e qytetit rumun. Ata pritet të mbërrijnë në aeroportin “Makedonia” të Selanikut rreth mesditës, ku do të transferohen menjëherë drejt spitaleve për vijimin e trajtimit.
I plagosuri i tretë mbetet i shtruar në spitalin e Timisoarës, pasi një ditë më parë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe mjekët nuk kanë rekomanduar transport të menjëhershëm.
Ndërkohë, autoritetet greke kanë bërë të ditur se sot pasdite do të realizohet edhe kthimi në Selanik i trupave të shtatë tifozëve që humbën jetën në aksident. Në aeroport pritet të jenë të pranishëm edhe tifozë të organizuar të PAOK-ut për t’u dhënë lamtumirën viktimave.
Aksidenti ndodhi mesditën e së martës në rajonin Timis të Rumanisë, ku furgoni me të cilin tifozët udhëtonin nga Selaniku drejt Lionit në Francë u përplas ballë për ballë me një kamion. Nga përplasja humbën jetën shtatë persona, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur. Mes viktimave ishte edhe shtetasi shqiptar Vasil Pilo, ndërsa një nga të plagosurit ka origjinë shqiptare.
Hetimet nga autoritetet rumune vijojnë për të zbardhur shkaqet e sakta të aksidentit.