Një apartament i marrë me qira në zonën e Vollgës, në lagjen nr. 1 të Durrësit, dyshohet se ishte përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit, duke çuar në procedimin penal të katër personave, dy shtetase braziliane dhe dy shtetas shqiptarë.
Rasti u evidentua në kuadër të fazës së 14-të të një operacioni policor të zhvilluar pas një hetimi dyjavor me metoda proaktive, i cili synonte goditjen e veprimtarive të paligjshme që lidhen me prostitucionin dhe përshtatjen e ambienteve për këtë qëllim.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti i marrë me qira ishte përdorur posaçërisht për këtë aktivitet. Gjatë kontrollit, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan shuma parash në valuta të ndryshme, konkretisht 1 080 euro, 116 700 lekë, 120 dollarë amerikanë, 80 paund britanikë, 150 franga dhe 3 430 dinarë. Po ashtu, u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, 8 aparate celularë, karta telefoni dhe blloqe shënimesh.
Si rezultat i operacionit, u proceduan në gjendje të lirë dy shtetase braziliane, të moshave 35 dhe 39 vjeç, si edhe dy shtetas shqiptarë, banues në Durrës, për veprën penale “Prostitucioni”.
Materialet proceduriale i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.