Kush është Besmir Beja, pasuesi i Gazhelit në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave

Pas lirimit nga detyra të Gent Gazhelit dhe emërimit të tij si zv.ministër i Mjedisit, drejtimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave i është besuar Besmir Bejës. Vendimi u miratua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Besmir Beja, prej muajit gusht të vitit 2024, mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, detyrë të cilën e ushtroi deri në emërimin e tij në krye të Doganave. Me këtë vendim, Beja merr në duar “timonin” e një prej institucioneve kyçe për ekonominë, buxhetin dhe luftën kundër informalitetit.

Besmir Beja ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 2008. Më pas, ai ka vijuar studimet e nivelit master në “Central European University” në Budapest.

Beja ka një përvojë të gjatë profesionale në sektorin privat, organizata ndërkombëtare dhe administratën publike, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ai ka qenë pjesë e Sekretariatit Teknik të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, si dhe ka shërbyer si këshilltar i Ministrit të Drejtësisë.

Për disa vite, Beja ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë, duke luajtur një rol kyç në hartimin dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane.

Nga viti 2023 deri në korrik 2024, ai ka ushtruar detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, ndërsa më pas është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, post që e ka mbajtur deri në emërimin e fundit në krye të Doganave.

Me mbi 12 vite përvojë profesionale, Besmir Beja ka kontribuar kryesisht në fushën e zbatimit të ligjit, hartimit të akteve ligjore dhe nënligjore, si dhe në proceset e reformimit të sistemit të drejtësisë. Ai ka udhëhequr dhe marrë pjesë në hartimin e ligjeve që rregullojnë funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe administratës publike.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033