Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Gjirokastër ka lënë në burg shtetasin K.K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, e parashikuar nga neni 100/2 i Kodit Penal.
Vendimi është marrë sot, më 28 janar 2026, gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar në orën 14:00, ku trupi gjykues shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Gjirokastrës lidhur me arrestimin në flagrancë të të dyshuarit.
Pas analizimit të akteve procedurale dhe rrethanave të çështjes, gjykata e vlerësoi arrestimin si të ligjshëm dhe vendosi caktimin e masës shtrënguese “arrest në burg”, në zbatim të nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale. Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Orinda Lloshi.
Çështja ndodhet në fazën e hetimeve, ndërsa autoritetet proceduese po vijojnë veprimet ligjore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, për shkak të natyrës së rëndë të akuzës dhe ndjeshmërisë së saj.