Kryetarët e bashkive anëtare të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40 kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për paraburgimin pa afat të Kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në një letër të përbashkët, të nënshkruar nga krerët e 76 bashkive anëtare, ky veprim cilësohet si një “trend i rrezikshëm” që kërcënon drejtpërdrejt demokracinë vendore në Ballkan dhe më gjerë. Ata theksojnë se largimi nga detyra i zyrtarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, pa një vendim gjyqësor përfundimtar, nuk përbën drejtësi dhe cenon vullnetin e qytetarëve.
Kryetarët e bashkive i bëjnë thirrje autoriteteve përkatëse që t’i japin fund masës së paraburgimit pa afat dhe t’u lejohet İmamoğlut dhe Veliajt të presin në liri procedurat ligjore, duke ushtruar njëkohësisht mandatet që u janë besuar nga votuesit.
Në letër përmendet edhe Raporti i tetorit 2025 i Komisionit të Venecias, si dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat theksojnë se ndalimi duhet të jetë masë e fundit dhe jo një mjet për pengimin e ushtrimit të mandatit. Sipas nënshkruesve, paraburgimi pa afat i kryetarëve të bashkive i privon qytetarët nga përfaqësimi dhe gërryen besimin në institucionet demokratike.
Rrjeti B40 nënvizon se nuk kërkohet imunitet dhe nuk komentohet mbi fajësinë apo pafajësinë e personave të përfshirë, por kërkohet respektimi i standardeve evropiane, transparencë, proporcionalitet dhe mbrojtje e demokracisë vendore.