Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka ashpërsuar qëndrimin ndaj shkeljeve të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se parkimi në rresht të dytë përbën një rrezik serioz për sigurinë publike dhe, në raste të caktuara, duhet të trajtohet si vepër penale.
Gjatë seancës maratonë në Kuvendin e Shqipërisë, ku po diskutohet Kodi i ri Penal, ministri deklaroi se parkimi dysh duhet të penalizohet penalisht në rastet kur pengon realisht mjetet e emergjencës.
Sipas Lamallarit, pasojat e një sjelljeje të tillë mund të jenë të rënda, duke përfshirë rrezikimin e jetës së qytetarëve, pengimin e mjeteve të Policisë së Shtetit dhe cenimin e rendit dhe sigurisë publike. Ai theksoi se ky qëndrim mbështetet edhe në të dhënat statistikore të Policisë së Shtetit.
Qëndrimi i ministrit u shpreh në një periudhë kur debati mbi Kodin e ri Penal ka nxitur diskutime të forta në Kuvend, ndërsa Ministria e Drejtësisë është përballur edhe me kritika lidhur me menaxhimin e sistemit penitenciar, i cili së fundmi është shoqëruar me disa ngjarje problematike.