Një skemë e sofistikuar e trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Mbretërisë së Bashkuar është zbardhur nga autoritetet britanike, duke çuar në dënimin e disa anëtarëve të një grupi kriminal ndërkombëtar, mes tyre edhe dy shqiptarë nga Kukësi që vepronin në Liverpul.
Hetimet treguan se rrjeti përdorte fluturime ndërkombëtare nga Meksika dhe zona të tjera të Karaibeve për të futur drogën në aeroportin e Mançesterit. Kurierë të huaj udhëtonin pa bagazhe dhe, pas mbërritjes, merrnin valixhe të mbushura me kokainë, të cilat më pas u dorëzoheshin bashkëpunëtorëve lokalë.
Në disa episode të dokumentuara gjatë vitit 2024, u tentua futja e qindra kilogramëve kokainë. Një pjesë e ngarkesave u shpërndanë brenda vendit, ndërsa sasi të tjera u sekuestruan nga autoritetet. Vetëm një operacion çoi në zbulimin e 300 kilogramëve kokaine me pastërti të lartë.
Dy shtetasit shqiptarë kishin rol aktiv në marrjen dhe shpërndarjen e drogës, ndërsa përdornin automjete të pajisura me ndarje të fshehura për transportin e lëndës narkotike. Hetuesit dokumentuan lëvizjet e tyre përmes kamerave të sigurisë dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme.
Pas përfundimit të hetimit, të pandehurit pranuan përgjegjësinë për veprat penale që lidhen me kontrabandën dhe shpërndarjen e kokainës. Një pjesë e të përfshirëve u shpallën fajtorë, ndërsa proceset ndaj personave të tjerë vijojnë.
Autoritetet britanike kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë dhe për të goditur rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës.