Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 10 persona, të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë.
Hetimet kanë zbuluar se grupi kriminal bashkëpunonte me organizata të huaja për importimin e lëndës narkotike, e cila fshihej në ngarkesa tregtare për t’u futur në territorin shqiptar. Një nga elementët kyç të hetimit lidhet me zbulimin e një sasie prej 485 kilogramësh kokainë, e fshehur në plehra kimikë, pranë një banese në Frakull të Fierit.
Sipas akuzës, grupi dispononte një laborator për përpunimin e kokainës në Qerekë të Krujës, si dhe ambiente mbështetëse në Tiranë dhe Durrës. Për të kamufluar aktivitetin kriminal, përdorej një kompani tregtare, përmes së cilës realizoheshin pagesa për ngarkesa të mëdha lëkurësh gjedhësh nga Republika Domenikane.
Ngarkesat, me peshë rreth 24 ton secila, mbërritën në Portin e Durrësit gjatë vitit 2024 dhe u magazinuan në ambiente të posaçme në zonën e Mulletit. Nga hetimet rezulton se brenda këtyre ngarkesave u gjetën të fshehura sasi të konsiderueshme kokaine.
Të pandehurit akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, krijim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe vepra të tjera penale të lidhura me këtë aktivitet. Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet vijojnë edhe për persona të tjerë të dyshuar.