Detaje të reja nga plagosja në Durrës, zbardhet e shkuara e autorit

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Durrës, ku një 57-vjeçar plagosi me thikë vajzën e tij 24-vjeçare. Persona të afërt me familjen bëjnë me dije se autori ka pasur prej vitesh probleme serioze me dhunën dhe alkoolin.

Sipas një të afërmi, 57-vjeçari ka qenë i njohur për sjellje problematike dhe ushtrim dhune në familje, çka kishte çuar edhe në divorcin nga bashkëshortja. Pas ndarjes, ai ishte larguar jashtë shtetit, ku kishte vuajtur dënim me burg për trafik lëndësh narkotike.

I njëjti burim thotë se pas lirimit nga burgu, ai kishte tentuar të ribashkohej me ish-bashkëshorten, por vajza e tij kishte kundërshtuar, duke qenë e vetëdijshme për të shkuarën e të atit. Konflikti dyshohet se ka shpërthyer pikërisht për këtë arsye, duke përfunduar me plagosjen e saj.

Policia e Durrësit arrestoi autorin pak orë pas ngjarjes. Gjatë sulmit, ai plagosi gjithashtu edhe dy persona të tjerë që tentuan t’i vinin në ndihmë vajzës. Të plagosurit janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po dokumentojnë plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij akti të rëndë dhune në familje.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033