Shtetet e Bashkuara po dislokojnë aeroplanë luftarakë, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe aeroplanmbajtëse me mijëra trupa në Lindjen e Mesme, një lëvizje që ka shtuar ndjeshëm tensionet me Iranin dhe ka rritur shqetësimet për përshkallëzim ushtarak në rajon.
Grumbullimi ushtarak vjen në një klimë të ndërlikuar politike, pas kërcënimeve të Presidentit amerikan Donald Trump për sulme ndaj Iranit, në kontekstin e shtypjes së protestave antiqeveritare nga autoritetet iraniane. Edhe pse Trump është tërhequr së fundmi nga kërcënimet e drejtpërdrejta, ai nuk ka përjashtuar mundësinë e veprimeve ushtarake kundër Republikës Islamike.
Sipas ekspertëve të sigurisë, dislokimi i aseteve ushtarake dhe stërvitjet e planifikuara detare rrisin presionin mbi Teheranin dhe krijojnë më shumë opsione sulmuese për Uashingtonin. Në këtë kuadër, aeroplanmbajtësi USS Abraham Lincoln dhe tri luftanije të tjera sulmuese janë nisur drejt rajonit, duke transportuar mbi 5.000 trupa, ndërsa janë dislokuar edhe avionë luftarakë të tipit F-15E Strike Eagle.
Forcat Ajrore amerikane kanë njoftuar gjithashtu nisjen e një stërvitjeje disaditore në të gjithë Lindjen e Mesme, me qëllim demonstrimin e aftësisë për të dislokuar dhe mbajtur fuqinë ajrore luftarake në rajon. Ky aktivitet i ngjan lëvizjeve të vitit të kaluar, që paraprinë sulmet ajrore ndaj objektivave iraniane.
Në reagim, Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka rritur nivelin e gatishmërisë dhe u ka bërë thirrje grupeve të armatosura të mbështetura nga Teherani në Irak, Liban dhe Jemen që të qëndrojnë të mobilizuara.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo veprim ushtarak kundër Iranit mbart rreziqe serioze për të gjithë rajonin, përfshirë hakmarrje ndaj bazave amerikane dhe aleatëve të SHBA-së, si dhe kërcënime për lirinë e lundrimit në Gjirin Persik. Sipas vlerësimeve, një pushtim tokësor i Iranit konsiderohet i pamundur, ndërsa sulmet ajrore, edhe nëse kryhen, nuk do të garantonin ndryshim të regjimit.