Në GJKKO mbahet seanca e radhës për aferën Partizani, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin Jamarbër Malltezi. Mbrojtja e ish-kryeministrit Sali Berisha ka kërkuar që të thirret si dëshmitar edhe Edi Rama, në cilësinë e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Kërkesë për të cilën pritet të shprehet sot GJKKO.
Ndërkaq, Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesën e bërë nga përfaqësues të medias për lejimin e kamerave dhe transmetimin “live” të shqyrtimit gjyqësor të dosjes “Partizani”. Sipas GJKKO, prania e kamerave mund të ndikojë në ecurinë e procesit.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.