Pamjet që shikoni, të sjella nga kamera e TV Apollon, vijnë nga aksi kryesor rrugor Ura Kuç–Dimal, ku prej ditësh kontejnerët e mbeturinave përgjatë rrugës janë të tejmbushur. Pavarësisht situatës shqetësuese, as Bashkia Dimal dhe as Njësia Administrative Poshnjë nuk kanë marrë masa për pastrimin e zonës.
Kontejnerët janë mbuluar nga thasë me mbeturina, ndërsa era i ka shpërndarë ato përgjatë gjithë aksit rrugor, duke krijuar ndotje dhe rrezik për qarkullimin. Gjendja e krijuar është kthyer në një problem serioz për banorët dhe përdoruesit e rrugës.
Ky aks është mjaft i frekuentuar, pasi lidh zonën me qytetin e Beratit, qytet muze i vizituar gjatë gjithë vitit nga turistë vendas dhe të huaj.
Pamjet e krijuara janë tejet negative dhe lënë shumë për të dëshiruar, ndërsa kjo nuk është hera e parë që institucionet vendore tregohen indiferente ndaj këtij fenomeni, duke lënë mbeturinat të grumbullohen në rrugët e bashkisë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Dimal dhe Njësia Administrative Poshnjë për pastrimin e aksit. Situata dëmton imazhin e zonës dhe përbën rrezik shëndetësor. Pa masa konkrete, ndotja mbetet një problem i përsëritur.