Burgjet janë ndërtuar për të izoluar krimin. Por çfarë ndodh kur krimi ndodh brenda tyre?
Më 19 janar 2026, brenda mureve të burgut më të madh të Greqisë, ndodhi një vrasje që tronditi jo vetëm sistemin penitenciar, por edhe balancat e krimit të organizuar.
Një i burgosur shqiptar, 49 vjeç, u vra me thikë të improvizuar. Autori, një shtetas grek 28-vjeçar. Viktima, Jani Aliaj, një ndër shqiptarët më të kërkuar, i cili për pak ditë pritej të ekstradohej në Shqipëri, për të vuajtur një dënim me burgim të përjetshëm.
Vrasja ndodhi në zonën e njohur si krahu i tretë i burgut të Koridhalosë, aty ku mbahen të izoluar të dënuarit me rrezikshmëri të lartë.
Por kjo ngjarje nuk ishte një sherr banal burgu. Faktet flasin për një kontratë vdekjeje.
Jani Aliaj u vra në një burg të sigurisë së lartë, ndonëse i konsideruar problematik për institucionet. Në një hapësirë që teorikisht kontrollohet 24 orë në 24, me kamera, roje dhe protokolle sigurie.
Sonte po sjellim hetim e një vrasjeje që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë.
Një ngjarje që ekspozon dobësitë e sistemit penitenciar dhe ngre pyetje të rënda mbi përgjegjësinë e autoriteteve.
Si u organizua vrasja? A ishte e planifikuar nga brenda? Dhe pse ende ka më shumë pyetje sesa përgjigje?
Kjo është dosja e një vrasjeje në burg. Një krimi në zemër të sigurisë shtetërore.
KUSH ISHTE JANI ALIAJ
Jani Aliaj, 49 vjeç, ishte një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke. Në 10 vjet ai është akuzuar për 2 vrasje, të paktën të dokumentuara dhe për të cilat drejtësia ka folur.
Të parën në Greqi, për të cilën është dënuar me 18 vjet burg, dhe të dytën në Shqipëri, ku është dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë.
I ka shpëtuar dy atentateve me armë zjarri në Tiranë e Gjirokastër dhe dy sulmeve të mëparshme me thikë në burgun e Koridhalosë në Greqi, i fundit 6 muaj para se të vritej.
Prej 13 muajsh ishte në burg në Greqi, në pritje të ekstradimit në Shqipëri. Para se të kthehej për të vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm në vendin tonë, duhej të shlyente edhe 2 vite burg në shtetin helen, dënim nga i cili i kishin mbetur vetëm disa muaj.
Nga ana tjetër ka edhe një çështje të hapur me drejtësinë. Aktualisht, në Gjykatën e Posaçme ka nisur gjyqi ndaj tij për vrasje të mbetur në tentativë, prodhim dhe shitje narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Për disa vite, Policia e Shtetit e rendiste në krah të 5 personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Emri i tij lidhet me një zinxhir vrasjesh e plagosjesh të ndodhura për larje hesapesh në Gjirokastër, Tepelenë, Tiranë, Durrës e Fier.
Janë pikërisht këto ngjarje, që pasi kulmuan në vitin 2016, nisën të pasojnë njëra-tjetrën dhe nxorën në sipërfaqe përplasjet e dy grupeve nga Tepelena. Deri në atë kohë dihej pak, ose aspak, për aktivitetet e tyre, që në shumicën e rasteve ishin shtrirë edhe përtej kufijve.
Dy personazhet kryesore që duket se ideuan dhe realizuan disa atentate, të finalizuara e të dështuara, ishin Elton Çiça, i cili u vra në Tiranë, dhe Jani Aliaj, që u dënua me burgim të përjetshëm për ekzekutimin e tij dhe që u vra më 19 janar 2026 në burgun e Koridhalosë në Greqi.
VRASJA BRENDA BURGUT
Jani Aliaj u qëllua për vdekje me thikë rreth orës 16:00, të datës 19 janar 2026.
Ngjarja ndodhi brenda një ambienti që teorikisht kontrollohet 24 orë në 24. Një thikë e improvizuar, e ndërtuar brenda burgut, u përdor për të goditur për vdekje Jani Aliajn. Ai u godit dy herë në gjoks, duke mbetur i vdekur në vend.
Autori nuk u përpoq të fshihej. Nuk kishte panik. Ishte i qetë. Si dikush që e dinte se çfarë duhej të bënte. Autoritetet e Pireut po hetojnë ngjarjen si një krim të porositur nga persona të tjerë. Kjo, nisur edhe nga një tentativë e 6 muajve më parë, kur autori, bashkë me disa të burgosur arabë, tentuan të vrasin Jani Aliajn, por nuk ia arritën. Pas kësaj tentative, 49-vjeçari shqiptar mori një status mbrojtjeje dhe u izolua në një qeli në sektorin B, bashkë me një ish-punonjës policie, të dënuar për drogë, vend që konsiderohej më i sigurt.
Autori i vrasjes, po ashtu, nuk është një emër i panjohur për autoritetet vendase. I dënuari grek që goditi me thikë Jani Aliajn është Kristos Vardhuniotis, i dyshuar si vrasës me pagesë.
28-vjeçari grek kishte kryer më parë një tjetër vrasje në Agios Panteleimonas. Teksa lëvizte me një motoçikletë, ai iu afrua shtetasit shqiptar dhe e qëlloi me armë zjarri në kokë. Bëhet fjalë për ekzekutimin e Artur Bashimit, ngjarje e ndodhur më 18 gusht 2025 në Athinë, që po ashtu u dyshua se ishte kryer me porosi nga burgu.
Më 3 shtator 2025, Policia e Greqisë zbardhi vrasjen e 47-vjeçarit nga Gjirokastra, Artur Bashimi, duke arrestuar 28-vjeçarin grek, i cili aktualisht akuzohet edhe për vrasjen e Jani Aliajt në burgun e Koridhalosë. Ai pranoi krimin në atë kohë dhe tha se për vrasjen e shqiptarit ishte paguar 15 mijë euro. Ai theksoi se nuk e njeh personin që porositi vrasjen e shqiptarit, por tha se urdhri erdhi nga brenda burgjeve greke.
Dy vrasje. Dy mënyra të ndryshme. Një profil që për autoritetet ngre dyshimin kryesor: ai nuk vepron vetëm. Madje asnjëherë për interesa personale, por i paguar dhe për llogari të dikujt tjetër. Madje ka dyshime se ai vepron për llogari të atyre që konsiderohen “mafia e burgut”.
Mediat greke, që nisën menjëherë të hetojnë ngjarjen, kanë ngritur disa pyetje serioze në lidhje me përgjegjësitë e administratës së burgut dhe rrethanat në të cilat i dënuari Jani Aliaj, i njohur si “Xheku”, u vra në mes të ditës në burgun e Koridhalos.
Aliaj, i cili vuante dënimin për vrasje dhe ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2024 në Moschato, njihej nga autoritetet si person me rrezikshmëri të lartë, ndërsa informacionet sugjeronin se ai ishte “pistoleta” e Vangelis Zambounis dhe ishte i lidhur me rrjete serioze të krimit të organizuar.
Vangelis Zambounis ishte një emër kyç i krimit të organizuar në Greqi, i njohur për aktivitetet e tij të gjera në trafikun e drogës, kontrabandë armësh dhe shantazhe të strukturuara ndaj rivalëve dhe biznesmenëve. Sipas hetimeve, ai kishte ndërtuar një rrjet të sofistikuar mbikëqyrjeje dhe kontrolli, ku përdorte individë të dhunshëm si “pistoleta” për të ekzekutuar urdhra dhe për të mbajtur rivalët nën frikë. Zambounis ishte gjithashtu i përfshirë në një sërë eliminimesh të planifikuara, duke e bërë emrin e tij një nga më të frikshmit në botën kriminale greke. Ai arriti të ruante ndikimin e tij edhe në prani të presionit të lartë nga autoritetet, duke përdorur informacione operative, kodime të komunikimeve dhe rrjete të fshehta bashkëpunëtorësh.
Brenda këtij konteksti të tensionuar, vrasja e tij u shndërrua në një ngjarje që tronditi opinionin publik: Vangelis Zambounis u qëllua me 90 plumba brenda makinës së tij, një akt që tregoi qartë për shkathtësinë dhe mizorinë e rivalëve të tij. Incidenti u interpretua si një mesazh i fortë për të gjithë ata që ishin pjesë e rrjeteve kriminale dhe për autoritetet, duke nxjerrë në pah rrezikun e vazhdueshëm të përplasjeve mes grupeve të armatosura. Sipas hetimeve, ky ekzekutim nuk ishte thjesht një akt hakmarrjeje, por një plan i mirëorganizuar që synonte eliminimin e një figure kyçe dhe destabilizimin e strukturave të kontrollit të tij.
Vrasja e Zambounis, brutale dhe e shënuar nga një numër i jashtëzakonshëm plumbash, konfirmoi fuqinë e rrjeteve kriminale dhe pasigurinë që mbizotëronte edhe në hapësirat publike të Athinës. Ky incident lidhet ngushtë edhe me aktivitetet e individëve të tjerë të krimit të organizuar, duke përfshirë lidhjen e tij me Jani Aliajin dhe rrjetin që drejtohej nga Klodian Lekocaj, duke krijuar një mozaik të dhunshëm ku urdhri, influenca dhe eliminimi ishin pjesë e përditshme e jetës së krimit të organizuar.
Nisur nga të gjitha të dhënat që dispononte Policia greke, kishte edhe informacione rreth një kontrate vdekjeje për Jani Aliajn.
Që në nëntor të vitit 2025, administratës së burgut të Koridhalos i kishte mbërritur informacioni në lidhje me një kontratë aktive vdekjeje kundër Jani Aliajt. Konkretisht, udhëheqësi famëkeq i asaj që mediat greke e quajnë “mafia e burgjeve”, Klodian Lekocaj, mbajti pengje dhe hapi qeli në krahun e tretë, duke kërkuar Aliajn.
Shefi i atëhershëm i burgut, Kostas Lambropoulos, dyshohet se e mori seriozisht këtë informacion dhe, siç rezulton, informoi me shkrim si udhëheqjen politike të Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarëve, ashtu edhe Sekretariatin e Përgjithshëm për Politikat Kundër Krimit. Më pas, me një vendim të miratuar nga Komiteti Qendror i Transferimeve, i burgosuri u hoq nga Krahu C dhe u transferua në K2, pra në krahun e sigurisë së lartë, i njohur edhe si krahu “17 Nëntori”.
Megjithatë, sipas informacioneve, pasi shefi i atëhershëm i rojeve la pozicionin e tij, Jani Aliaj u transferua përsëri në krahun e tretë, aty ku edhe u vra. Ky kthim në vendin nga ku e kishin larguar për siguri shkaktoi një shqetësim serioz, pasi vlerësimi i rrezikut nuk ishte hequr zyrtarisht; nuk dihet nëse ka pasur një vlerësim të ri të dokumentuar të sigurisë; ndërsa, sipas burimeve, vendimi thuhet se është dhënë me urdhër verbal.
Konsiderohet e dyshimtë që, ndërsa ekzistenca e kërcënimit ishte e njohur, i burgosuri u kthye në një repart ku ishin aktivë grupe rivale dhe individë me të cilët ai kishte llogari të hapura. Burime që kanë njohuri për rastin theksojnë se transferimi i mëparshëm në K2 kishte për qëllim pikërisht mbrojtjen e tij; kthimi i tij në krahun e tretë e përmbysi plotësisht regjimin e sigurisë; krijoi kushtet për ekzekutimin e kontratës së vdekjes.
Autori i vrasjes dyshohet të jetë Kristos Vardhuniotis, ndërsa autoritetet po hetojnë motivet dhe rrethanat e sulmit. Ndërsa porosia ka dyshime se mund të jetë dhënë po nga i njëjti burg, nga Klodian Lekocaj, i cili, si në shumë raste të ngjashme që janë hetuar, ka mohuar të ketë lidhje me krimin.
Klodian Lekocaj është një nga emrat më të errët që shfaqet në dosjet e krimit të organizuar shqiptar që ka vepruar në Greqi. I dënuar me burgim të përjetshëm, ai konsiderohet nga autoritetet hetimore greke si një figurë që, pavarësisht izolimit fizik, nuk e ka humbur kurrë ndikimin e tij kriminal. I vendosur në burgun famëkeq të Koridhalosit, Lekocaj dyshohet se ka ndërtuar dhe drejtuar atë që hetuesit e përshkruajnë si “mafia e burgjeve”, një mekanizëm i fshehtë urdhrash, presionesh dhe eliminimesh që shtrihet përtej mureve të institucionit penitenciar.
Sipas të dhënave hetimore, emri i tij përmendet si porositës në disa krime të rënda, së fundmi edhe për vrasjen e Jani Aliajt, një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe ekspozoi dobësitë e thella të sistemit të sigurisë brenda burgjeve të sigurisë së lartë. Lekocaj del në komunikime të koduara, në dëshmi bashkëpunëtorësh dhe në informacione operative, si një figurë që jep urdhra, ndërmjetëson konflikte dhe mban nën kontroll individë të tjerë të botës së krimit.
Hetimet sugjerojnë se burgimi i përjetshëm nuk e ka shkëputur nga aktiviteti kriminal, por përkundrazi, burgu është shndërruar në një qendër komande të padukshme. Për autoritetet, rasti i Klodian Lekocajt përfaqëson modelin më shqetësues të kriminelit modern: një individ që vazhdon të ushtrojë pushtet edhe pas hekurave, duke sfiduar drejtpërdrejt sistemin penitenciar dhe vetë drejtësinë.
Hetimi i Sigurisë së Pireut po fokusohet në një pistë kryesore: vrasja e Jani Aliajt ishte e porositur. Trafiku i drogës në Athinë shihet si motivi kryesor. Kush kontrollon sheshet? Kush shpërndan? Kush përjashtohet?
BURGU FAMËKEQ
Burgu i Koridhalos, në periferi të Athinës, nuk është thjesht një institucion ndëshkimi, por një simbol i errët i përplasjes mes shtetit dhe krimit.
Për dekada me radhë, ai ka strehuar disa nga emrat më të rrezikshëm të botës së nëndheshme greke dhe ndërkombëtare. Brenda këtyre mureve janë regjistruar vrasje mes të burgosurve, përplasje të dhunshme bandash dhe akte që kanë tronditur vetë autoritetin e shtetit. Koridhalos është bërë i famshëm edhe për arratisje spektakolare, që kanë ekspozuar dobësitë e sigurisë dhe kanë kthyer burgun në një simbol dështimi institucional. Trazirat, marrjet peng dhe zbulimi i armëve brenda qelive kanë qenë pjesë e një realiteti të përsëritur ndër vite. Mbipopullimi dhe kushtet e rënda kanë ushqyer tensione të vazhdueshme, duke e kthyer çdo ditë në një provë force. Në këtë burg, kontrolli shpesh është vënë në dyshim dhe rendi është sfiduar hapur. Koridhalos nuk ka qenë kurrë një burg i qetë. Ai ka qenë gjithmonë një vatër konflikti, ku dhuna nuk është përjashtim, por paralajmërim. Dhe pikërisht këtu, në këtë hapësirë të mbingarkuar me histori të errëta, ndodhi edhe vrasja e Jani Aliajt.
Përplasja e grupeve të Tepelenës
Hakmarrja mes dy djemve nga Tepelena, Elton Çiça dhe Jani Alia, nisi në vitin 2006 pas një vrasjeje në rajonin e Atikës Perëndimore. U zhvendos më vonë në burgun e Koridhalosë në Greqi dhe më pas u pasua me plagosje e vrasje mes dy grupeve, në Gjirokastër, Tiranë, Durrës e Fier. Kjo përplasje, që u duk se kishte nisur nga një sherr banal, në fakt zhvilloi një sagë të përgjakshme që për 10 vjet shkaktoi 4 të vrarë, 5 të plagosur dhe disa atentate të dështuara që Çiça e Alia i bënë njëri-tjetrit, më vonë edhe ndaj miqve të tyre.
Pas ngjarjes së datës 1 maj 2016, ku mbeti i vrarë Elton Çiça, Policisë së Tiranës i është dashur të gjurmojë të shkuarën e hershme të viktimës për të zbuluar motivin e vrasjes së tij në kryeqytet. Burime nga grupi hetimor thanë në atë kohë se Çiça u ekzekutua për motive hakmarrjeje, që lidhej me një vrasje të ndodhur në vitin 2006. Në rajonin e Atikës Perëndimore, në Greqi, Jani Alia goditi për vdekje me thikë djalin e shtetasit Shyqo Ballazhiu, nga fshati me emrin Zhapokikë, i Memaliajt. Viktima, E. Ballazhiu, 20 vjeç, ishte shoku i fëmijërisë së Elton Çiçës, bashkëmoshatar i tij. Ata ishin rritur bashkë në Tepelenë dhe Çiça ishte interesuar shumë për të mësuar se kush ishte autori i vrasjes së shokut të tij.
Në momentin që e ka marrë vesh se autori ishte po ashtu nga Tepelena dhe sapo ka mësuar emrin e tij, Elton Çiça i ka dërguar fjalë në burg Alisë, duke i thënë se do të merrte hak për këtë vrasje. Jani Alia ishte arrestuar nga Policia helene dhe ndodhej në paraburgim. Rreth 3 vite më vonë, ndodh që arrestohet në Greqi edhe Elton Çiça. Dy tepelenasit rastisin të përballen në të njëjtin vend, në burgun e Koridhalosë, Alia i dënuar me 18 vjet burg për vrasje dhe Çiça me 5 vjet për drogë.
Aty ndodhi përplasja e parë fizike mes tyre, pasi Çiça plagosi me thikë Alinë kur ndodheshin në ajrim. Disa javë pas kësaj ngjarjeje, Jani Alia del me leje nga burgu, pasi kishte bërë 10 vjet, por nuk kthehet më në burg dhe shpallet në kërkim nga Policia greke. Pak kohë më pas lirohet edhe Elton Çiça, pasi përfundon dënimin. Pas këtij momenti nisin edhe atentatet.
Kur autoritetet shqiptare po përgatiteshin që të realizonin ekstradimin e Jani Aliajt dhe ta izolonin në burg përjetësisht, oficeri i kontaktit solli një njoftim ndryshe nga ç’pritej. I shumëkërkuari nga drejtësia jonë ishte vrarë në burgun grek.
Vrasja në Koridhalos nuk është vetëm një krim burgu.
Është një mesazh. Një paralajmërim. Dhe një dëshmi se, edhe pas hekurave, lufta për pushtet dhe drogë nuk ndalet kurrë.
Vrasja e Jani Aliajt nuk mbaron me minutën e fundit të jetës së tij. Ajo vazhdon në çdo heshtje. Në çdo raport të paplotë. Në çdo përgjegjësi që nuk mbahet nga askush. Sepse burgu nuk është vetëm ndëshkim. Është provë e shtetit. Dhe kur një shtet dështon të mbrojë jetën, edhe pas hekurave, drejtësia mbetet e pavendosur kurrë. Kjo dosje mbetet e hapur. Sepse muret nuk duhet të fshehin të vërtetën.