Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndaloi në Vlorë në kuadër të procesit të konsultimeve për hartimin e Skemës Kombëtare 2026, duke zhvilluar një takim me fermerët e zonës për të mbledhur mendimet dhe propozimet e tyre.
Para dhe gjatë takimit, ministri u pyet për çështje që lidhen me funksionimin e strukturave bujqësore në Vlorë, ndryshimet në AKU, skemat IPARD dhe ankesat e fermerëve. Salla theksoi se një pjesë e fermerëve kanë fituar gjyqe ndaj AZHBR-së.
Gjatë diskutimeve, fermerët ngritën shqetësime mbi nevojën për politika që garantojnë stabilitet, rritje të prodhimit dhe perspektivë reale për zhvillimin e bujqësisë në zonën e Vlorës. Ministri deklaroi se Skema Kombëtare 2026 do të ndërtohet mbi bazën e këtyre konsultimeve, duke marrë parasysh karakteristikat dhe potencialet e çdo rajoni.
Salla e cilësoi procesin e konsultimit si një hap të rëndësishëm për orientimin më efikas të financimeve publike në bujqësi dhe për krijimin e një mbështetjeje më të drejtë dhe funksionale për fermerët.
Takimi në Vlorë është pjesë e turit kombëtar të Ministrisë së Bujqësisë për përfshirjen e fermerëve në hartimin e politikave mbështetëse për vitin 2026.