Bashkimi Europian ka vendosur t’i japë fund importeve të gazit nga Rusia, duke formalizuar një ndalim që do të zbatohet gradualisht deri në vitin 2027. Vendimi u miratua në Bruksel nga ministrat e çështjeve europiane, pas dakordësisë së arritur në fund të vitit të kaluar mes institucioneve europiane dhe shteteve anëtare.
Sipas planit të miratuar, kontratat afatshkurtra për importin e gazit do të ndërpriten gjatë vitit 2026, ndërsa kontratat afatgjata do të përfundojnë deri në shtator 2027, duke shënuar mbylljen përfundimtare të furnizimit me gaz rus në tregun europian.
Në ditën e miratimit të vendimit, aktivistë të Greenpeace protestuan përpara Këshillit të BE-së në Bruksel, duke kritikuar strategjinë për zëvendësimin e gazit rus me importe nga Shtetet e Bashkuara. Organizata mjedisore paralajmëroi se Europa po rrezikon të krijojë varësi të reja energjetike, në vend që të investojë në burime të qëndrueshme dhe vendase.
Greenpeace thekson se çdo ditë në Europë mbërrijnë mesatarisht dy deri në tre cisterna me gaz të lëngshëm nga SHBA dhe i bën thirrje BE-së të rishikojë angazhimin për të importuar produkte energjie në vlerë qindra miliarda dollarë, duke orientuar politikat drejt energjive të rinovueshme.
Vendimi i BE-së parashikon sanksione të ashpra për kompanitë që nuk respektojnë ndalimin, ndërsa qeveritë e vendeve anëtare janë të detyruara të paraqesin deri në mars 2026 plane konkrete për reduktimin e varësisë energjetike nga Rusia dhe për tranzicionin drejt burimeve alternative.