Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kanë konfirmuar në Jerusalem forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke vënë theksin te angazhimi për stabilitet në Gaza dhe zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama njoftoi se Shqipëria do të bëhet pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, duke theksuar se vendi ynë do të kontribuojë në përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e rajonit dhe mbështetjen e një zgjidhjeje afatgjatë.
Nga ana e tij, Netanyahu vuri në dukje rëndësinë e hapjes së Dhomës së Tregtisë në Jerusalem, e cila pritet të inaugurohet më 27 janar. Sipas tij, kjo strukturë do të ndihmojë në thellimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve dhe në rritjen e bashkëpunimit tregtar.
Gjatë takimit u theksua edhe rritja e ndjeshme e turizmit izraelit drejt Shqipërisë. Netanyahu bëri të ditur se numri i turistëve izraelitë që vizitojnë Shqipërinë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke e cilësuar vendin si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për qytetarët izraelitë.
Vizita e Kryeministrit Rama në Izrael përfshin gjithashtu një fjalim në seancën plenare të Knessetit dhe pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, si dhe takime të tjera zyrtare në nivel të lartë.