Një 39-vjeçar është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës, pasi dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një vajzë 12-vjeçare, e cila është fëmija i mitur i bashkëjetueses së tij.
Sipas informacioneve zyrtare, në pranga është vënë shtetasi Klement Kursa, nga Dibra, me banim të përkohshëm në Gjirokastër. Arrestimi është kryer pas veprimeve hetimore të policisë, të cilat kanë çuar në dyshime të forta për kryerjen e veprës penale.
Ngjarja është zbuluar përmes metodave hulumtuese nga Policia e Gjirokastrës, ndërkohë që deri në këtë fazë nuk ka pasur një kallëzim formal nga ana e vajzës së mitur apo e nënës së saj. Strukturat policore bëjnë me dije se hetimet janë në vijim dhe po kryhen të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit.
Nga të dhënat hetimore rezulton se Klement Kursa ishte arrestuar edhe pesë ditë më parë gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Dibrës dhe asaj të Gjirokastrës, lidhur me dyshimet se ai dhe vëllai i tij binjak janë të përfshirë në një vrasje të ndodhur në Dibër në vitin 2018.
Gjatë aksionit policor të zhvilluar më 18 janar, në banesën e tyre në Gjirokastër u sekuestruan tre armë zjarri, një armë e ftohtë, municion luftarak, krehëra, një maskë dhe disa aparate celularë. Megjithatë, Gjykata e Gjirokastrës vendosi lirimin e Kursës gjatë seancës së vlerësimit të masës së arrestit.
Policia bën me dije se 39-vjeçari është arrestuar sërish, këtë herë për dyshime për ngacmim seksual ndaj vajzës së mitur të bashkëjetueses së tij. Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.