Rritje pagash, personel shtesë dhe armatim i ri, Vengu zbulon prioritetet e strategjisë së re të mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë të ditur se Shqipëria po përgatit rishikimin strategjik të Mbrojtjes, i cili do të shërbejë si bazë për zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe forcimin e rolit të vendit në arkitekturën e sigurisë kolektive.

Në deklaratën e tij, Vengu theksoi se dokumenti i ri strategjik parashikon rritje të ndjeshme të pagave për ushtarakët, shtim të personelit aktiv dhe modernizim të mjeteve të Forcave të Armatosura. Ai nënvizoi se siguria nuk është e garantuar njëherë e përgjithmonë dhe kërkon investime të vazhdueshme.

Sipas ministrit, rishikimi strategjik pasqyron një realitet ndërkombëtar të karakterizuar nga rivalitete të reja dhe forma hibride të kërcënimeve, ku edhe Europa Juglindore mbetet e ekspozuar ndaj ndikimeve, dezinformimit dhe ndërhyrjeve indirekte.

Vengu bëri të ditur se buxheti i mbrojtjes për vitin 2026 arrin në 2.12 për qind të PBB-së, me një rritje prej 12 për qind krahasuar me vitin 2025. Synimi afatmesëm, sipas tij, është arritja e niveleve të kërkuara nga NATO deri në vitin 2029.

Në aspektin e personelit, ministri theksoi se pagat bazë do të rriten progresivisht me 60–70 për qind, ndërsa pagat për nivelet e larta të komandimit me rreth 30 për qind. Gjithashtu, është planifikuar rritja me 30 për qind e komponentit aktiv, ndërkohë që gjatë vitit të kaluar janë rekrutuar 721 efektivë të rinj. Ai vuri në dukje se Akademia e Forcave të Armatosura do të ketë një rol qendror në këtë proces dhe se viti 2026 do të sjellë një kuadër ligjor më të përmirësuar.

Sa i përket pajisjeve dhe kapaciteteve, Vengu deklaroi se Forcat e Armatosura kanë rikthyer gadishmërinë ajrore dhe atë të mjeteve helikopterë, ndërsa Forca Detare është përforcuar me mjete të reja dhe pritet një tjetër investim prej 9 milionë eurosh nga aleatët italianë. Ai njoftoi se sistemet Javelin do të prezantohen javën e ardhshme, ndërsa gjatë vitit 2026 do të shtohen sisteme artilerie dhe do të rikthehen sistemet kundërajrore.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se kompania shtetërore Kayo ka lidhur gjashtë marrëveshje gjatë vitit 2025 për prodhimin e armatimit të lehtë dhe se janë në zhvillim negociata me Fincantieri për prodhimin e anijeve në Pashaliman. Në fushën e mbrojtjes civile, parashikohet ngritja e dy bazave rajonale, një për veriun dhe një për jugun e vendit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033