Janë mësuar rrethana të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Durrës, ku një 56-vjeçar ka plagosur me thikë vajzën e tij 24-vjeçare.
Sipas informacioneve, prindërit e të resë kishin rreth gjashtë vite të ndarë, pas episodeve të dhunës në familje. Pas ndarjes, babai ishte larguar drejt Italisë, ku kishte vuajtur edhe një dënim me burg.
Burimet bëjnë me dije se ai është kthyer së fundmi në Shqipëri dhe ka kërkuar të ribashkohet me familjen, por kjo kërkesë është refuzuar nga vajza. Pas këtij refuzimi, 56-vjeçari ka shkuar në vendin ku ajo punonte dhe e ka goditur me thikë në rrugë.
Gjatë ndërhyrjes për të ndalur sulmin, një kalimtar i rastit ka mbetur gjithashtu i plagosur. Të dy të lënduarit janë transportuar në spitalin e Durrësit për ndihmë mjekësore.
Autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes dhe vijon të jetë në arrati, ndërsa policia dhe grupi hetimor po punojnë për kapjen e tij dhe sqarimin e plotë të rrethanave.