Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka deklaruar se sistemi i drejtësisë në Shqipëri përballet me problematika serioze, ku një nga më shqetësueset mbetet numri i lartë i personave në paraburgim pa vendim përfundimtar.
Sipas ministrit, më shumë se gjysma e të paraburgosurve ndodhen në qeli pa një vendim të formës së prerë, një situatë që, sipas tij, është e papranueshme dhe larg praktikave të ndjekura në vendet e Bashkimit Europian. Ai theksoi se paraburgimi i zgjatur po grryen besimin e qytetarëve te drejtësia dhe tregon mungesë alternativash efektive në vendimmarrjen gjyqësore.
Lamallari u ndal edhe te mungesa e burimeve njerëzore në sistem, duke theksuar se gjykatat vijojnë të kenë vakanca të mëdha si në gjyqtarë ashtu edhe në ndihmës-gjyqtarë. Sipas tij, kjo situatë ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të stokut të çështjeve dhe në zvarritjen e proceseve gjyqësore.
Ai vuri në dukje se, ndonëse Gjykata e Lartë ka shënuar përmirësim gjatë vitit 2025 me 6 876 vendime të dhëna, problematikat kryesore mbeten në Shkallën e Parë dhe në Apel. Ministri theksoi se vonesat në gjykim dhe moszbardhja e vendimeve edhe pas një viti janë të papranueshme.
Sipas të dhënave të paraqitura, në Gjykatat e Apelit vetëm rreth 10 për qind e çështjeve përfundojnë brenda një viti, ndërsa stoku i dosjeve ka arritur në rreth 19 mijë çështje për secilin apel. Lamallari theksoi se miratimi i një numri të ulët kuotash për ndihmësat ligjorë po e përkeqëson situatën.
Ministri u shpreh gjithashtu se Shqipëria aplikon dënime më të ashpra krahasuar me vendet e BE-së, duke theksuar nevojën për afrimin e politikës penale me standardet europiane, si në alternativat ndaj paraburgimit, ashtu edhe në marzhet e dënimeve me burg.