Një operacion policor i koduar “Neonët 8” ka çuar në zbulimin e disa ambienteve të përshtatura për kultivimin e kanabisit në fshatin Boriç i Madh, si dhe në arrestimin e pesë personave, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas informacionit zyrtar, gjatë ndërhyrjes policore u konstatuan tre ambiente të pajisura posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat furnizoheshin me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme. Si rezultat i veprimeve, u arrestua shtetasi Kol Narkaj, si dhe katër punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike: Valentin Kuvendaj, Xhuljano Ceraj, Faik Muselaj dhe Fatmir Kajoshaj.
Një punonjës tjetër i OSHEE-së po hetohet në gjendje të lirë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë, vijon kërkimi për një shtetas 36 vjeç, me iniciale A.G., i dyshuar si i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Gjatë kontrollit në ambientet e zbuluara, policia sekuestroi 771 bimë kanabisi, 6 kilogramë e 250 gramë material bimor të përpunuar, si dhe një sasi të konsiderueshme pajisjesh, përfshirë 195 llamba ndriçimi, 21 aspiratorë dhe 20 filtra ajri, të përdorura për kultivimin, tharjen dhe përgatitjen e lëndës narkotike për treg.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për vijimin e veprimeve ligjore.