Autoritetet kanë njoftuar se më 26 janar kanë nisur protesta në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, të cilat do të sjellin bllokimin e qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë në pikat kufitare me këto vende.
Sipas informacionit zyrtar, në Mal të Zi protesta organizohet nga Shoqata e Kamionistëve dhe do të nisë në orën 11:30. Ajo parashikohet të zgjasë rreth 48 orë, gjatë të cilave qarkullimi i kamionëve do të jetë i kufizuar.
Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, hyrja e mjeteve të transportit të mallrave është bllokuar që në orën 00:01 të ditës së hënë, ndërsa nga ora 12:00 do të bllokohet edhe dalja e tyre nga territori i vendit. Ky bllokim do të zgjasë rreth 7 ditë.
Sipas njoftimeve, nga kufizimet përjashtohen automjetet që transportojnë bagëti dhe barna. Po ashtu, gjatë gjithë periudhës së protestave do të vijojë pa pengesa qarkullimi i automjeteve të vogla, mjeteve të emergjencës dhe transportit të pasagjerëve.
Autoritetet u kanë bërë thirrje subjekteve të transportit dhe qytetarëve që të informohen paraprakisht dhe të marrin masa për të shmangur vonesat apo vështirësitë në lëvizje gjatë kësaj periudhe.