Prej ditësh, kamionë të tonazhit të rëndë janë parë duke marrë inerte nga kjo zonë, për mbushjen e kantierit të ndërtimit të Aeroportit të Vlorës.
Bëhet fjalë për një territor që, sipas vendimeve të miratuara nga Këshilli i Komunës në vitin 2014, ka një status të përcaktuar zyrtarisht. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, duket se firma ndërtuese po e shfrytëzon hapësirën pa asnjë kriter dhe pa transparencë, me synimin për të përfunduar punimet sa më shpejt.
Situata përbën një shkelje të hapur ligjore, ku kompetencat dhe përgjegjësitë kalojnë nga një institucion te tjetri, ndërsa në terren nuk duket asnjë kontroll konkret mbi aktivitetin që po zhvillohet. Banorët shprehen të shqetësuar për dëmtimin e tokës dhe pasojat që kjo gërryerje mund të sjellë për zonën, ndërkohë që institucionet përkatëse vijojnë të heshtin.
Në këtë kaos institucional, Mifoli po paguan çmimin e një zhvillimi pa rregulla, ku interesi për të mbyllur një kantier shpejt duket se vlen më shumë se ligji, mjedisi dhe vendimet zyrtare të pushtetit vendor.