Pas përfundimit të protestës së dhunshme të Partisë Demokratike, një 14-vjeçar i shoqëruar nga Policia ka dhënë dëshminë e tij pas daljes nga Komisariati i Policisë nr. 1 në Tiranë.
I mituri tregoi se ndodhej pranë një xhamie në momentin kur u shoqërua, duke theksuar se po përpiqej të pastronte fytyrën nga gazi lotsjellës i përdorur gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit.
“Isha në xhami. Isha duke larë fytyrën prej gazit. Po shikoja policët dhe më erdhën disa civilë. Më kthyen duart, më vunë prangat dhe më sollën këtu. Qëndrova rreth dy ose tre orë,” deklaroi ai, duke shtuar se më pas u lirua.
Sipas Policisë së Shtetit, i mituri ishte pjesë e grupit prej 23 personash të shoqëruar, të cilët dyshohet se gjatë protestës kanë hedhur gurë dhe sende të forta ndaj efektivëve të Policisë. Ngjarja u shoqërua me përplasje të forta, ku 11 punonjës policie mbetën të lënduar.
Autoritetet sqarojnë se rasti i të miturit është trajtuar sipas procedurave ligjore dhe se ai është lënë i lirë pas përfundimit të veprimeve procedurale, në prani të prindit dhe përfaqësuesve ligjorë.