Kryeministri Edi Rama është ndalur te ngjarjet e 21 Janarit 2011, duke i cilësuar ato si një krim shtetëror që vijon të mbetet një plagë e hapur për familjarët e viktimave dhe për moralin e drejtësisë në Shqipëri.
Duke folur në podkastin e tij “Flasim”, Rama theksoi se kanë kaluar 15 vite nga vrasja e katër protestuesve, të cilët, sipas tij, ishin paqësorë dhe u qëlluan nga armët e shtetit në bulevard.
“Kjo ishte edhe java e trishtë e 21 janarit, 15 vite pas krimit shtetëror, vrasjes së katër burrave të pafajshëm protestues, tërësisht paqësor, me pushkët e shtetit në bulevard dhe përsëri 21 janari erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë,” u shpreh Rama.
Ai tha se kjo ngjarje nuk është vetëm një plagë për familjarët e viktimave, por edhe për themelet e drejtësisë në vend.
“Kjo mbeti një plagë e hapur për moralin e drejtësisë në Shqipëri dhe për themelet e drejtësisë së shtetit shqiptar,” deklaroi kryeministri.
Rama u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë, në veçanti Prokurorisë së Posaçme, që të veprojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“SPAK-u të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim,” tha ai, duke shtuar se krimet shtetërore mund të vonojnë në ndëshkim, por nuk harrohen kurrë.