Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave të opozitës lidhur me përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, duke sqaruar se ftesa për anëtarësim ka ardhur drejtpërdrejt nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Rama e cilësoi ftesën si një zhvillim me domethënie të fortë politike dhe historike për Shqipërinë, duke theksuar se ajo shkon përtej protokolleve zyrtare. Ai kritikoi qëndrimet kundërshtuese, të cilat, sipas tij, u shoqëruan me teori dhe spekulime.
“Kjo javë nisi me një ftesë përtej protokolleve zyrtare dhe me një domethënie shumë të fortë politike, po edhe historike për Shqipërinë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më dërgoi ftesën për t’iu bashkuar Bordit të Paqes, një organizëm i ri ndërkombëtar i themeluar prej tij, dhe për ta pranuar Shqipërinë si vend anëtar themelues,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se, pavarësisht zhurmës politike, ftesa u pranua dhe u ratifikua në Kuvendin e Shqipërisë, përmes një projektmarrëveshjeje dhe projektligji, edhe me votat e opozitës.
“Ftesën e mirëpritëm, e pranuam dhe e ratifikuam edhe në Kuvend, me një PO të fortë, edhe nga ata që deri në momentin e votimit nuk lanë gjë pa thënë,” u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria, si një shtet që ka zgjedhur paqen si orientim të përhershëm, është tashmë vend anëtar themelues i këtij organizmi ndërkombëtar.