Tirana është në masa të shtuara sigurie në prag të protestës së thirrur nga Partia Demokratike, e cila do të zhvillohet sot në orën 17:00 para Kryeministrisë. Policia e Tiranës ka angazhuar rreth 1300 efektivë për mbarëvajtjen e tubimit.
Pak orë përpara nisjes së protestës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në tubim, duke e cilësuar këtë protestë si një moment vendimtar politik.
“I bëj thirrje të rinjve të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve,” deklaroi Berisha.
Partia Demokratike synon përmes këtij tubimi largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa organizatorët nuk kanë bërë publike detaje të tjera mbi ecurinë e protestës.
Nga ana tjetër, autoritetet kanë ndërmarrë masa të forta sigurie. Kryeministria është rrethuar dhe dyert janë fortifikuar, ndërsa sipas protokolleve të sigurisë pritet prania e mjeteve zjarrfikëse dhe ambulancave.
Në bulevard po vijojnë përgatitjet logjistike për tubimin, ndërkohë që qarkullimi i automjeteve është ndaluar përgjatë gjithë aksit rrugor. Situata po monitorohet përmes një rrjeti të shtuar kamerash sigurie.