Ivanka Trump, vajza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka publikuar sërish pamje nga bregdeti i Vlorës, duke shprehur vlerësimin e saj për Shqipërinë.
Në një postim në “Instastory”, Ivanka Trump ka ndarë një fotografi nga bregdeti, të shoqëruar me mbishkrimin: “Shqipëria është magjike!”. Pamjet vënë në pah peizazhin detar dhe bukuritë natyrore të zonës.
Kjo nuk është hera e parë që ajo ndan momente nga vizita e saj në jug të vendit. Më herët, Ivanka Trump ka publikuar edhe fotografi dhe video të tjera, ku shfaqen pamje të detit, gjelbërimi karakteristik i zonës dhe ishulli i Sazanit i parë nga larg. Në sfondin e disa prej pamjeve, ajo ka zgjedhur këngën shqiptare “Luleborë”.
Postimet e saj kanë tërhequr vëmendje të gjerë, duke promovuar bukuritë natyrore të Shqipërisë në rrjetet sociale.