Lushnja vijon aktivitetet e ndryshme në kuadër të Javës së Kongresit, me rastin e 106-vjetorit të Kongresit të Lushnjës. Grupe intelektualësh dhe nxënës nga shkolla të ndryshme, si nga Lushnja ashtu edhe nga rrethe të tjera, vizitojnë shtëpinë ku u mbajt Kongresi Kombëtar i Lushnjës.
Çdo ditë, qyteti është i përfshirë në aktivitete të shumta të organizuara nga Bashkia Lushnjë dhe Drejtoria e Qendrës së Artit dhe Muzeut Historik. Në këto aktivitete, shkrimtarë lushnjarë kanë prezantuar libra të shkruar për këtë kongres historik, i cili përcaktoi fatet e Shqipërisë.
Kamera e TV Apollon iu drejtua përgjegjësit të Muzeut Historik dhe historianit Niko Ferro, i cili u shpreh se Lushnja dhe lushnjarët duhet të vlerësohen për këtë akt historik, të mbajtur në janar të vitit 1920, pikërisht në zemër të Shqipërisë. Zoti Ferro vlerësoi gjithashtu kontributin e dy autorëve të librave historikë për Kongresin e Lushnjës, Ylli Myftiu dhe Engjëll Zerdelia, të cilët kanë hedhur dritë mbi historinë dhe rëndësinë e këtij kongresi.