Më shumë se 160 milionë banorë në Shtetet e Bashkuara pritet të preken nga një stuhi e fuqishme dimërore gjatë fundjavës, e cila do të sjellë akull në jug të vendit, temperatura ekstreme në rajonet qendrore dhe perëndimore, si dhe reshje të dendura bore në verilindje.
Sipas paralajmërimeve meteorologjike, mëngjesin e së shtunës temperaturat do të zbresin ndjeshëm nën zero, duke krijuar kushte të rrezikshme për qarkullimin rrugor dhe rrezik të lartë për ndërprerje të energjisë elektrike. Autoritetet paralajmërojnë se ndërprerjet mund të lënë mijëra familje pa ngrohje, ndërsa i ftohti i acartë pritet të zgjasë edhe pas kalimit të stuhisë.
Në Teksas, guvernatori Greg Abbott ka shpallur gjendjen e katastrofës natyrore për 134 qarqe, me qëllim aktivizimin e mekanizmave të emergjencës përpara mbërritjes së valës së të ftohtit ekstrem.
Fronti arktik pritet të godasë më fort rajonin e Midwest-it, ku temperaturat do të zbresin në nivele jashtëzakonisht të rrezikshme. Në disa zona të Minesotës dhe Dakotës së Veriut, termometri pritet të shënojë deri në minus 46 gradë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se ngrirja e lëkurës mund të ndodhë brenda 10 minutash.
Reshje të dendura bore dhe akulli priten edhe në Uashington DC, si dhe përgjatë korridorit ndërshtetëror I-95, nga Filadelfia drejt Nju Jorkut dhe Bostonit. Modelet meteorologjike parashikojnë që reshjet të vijojnë deri në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet, të përgatiten për kushte emergjente dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë civile.