Ministri i Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë, Gunther Krichbaum, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u takua me përfaqësues të lartë të qeverisë shqiptare, drejtësisë dhe opozitës.
Gjatë qëndrimit në kryeqytet, Krichbaum zhvilloi takime me kryeministrin Edi Rama, drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, si dhe me përfaqësues të opozitës parlamentare. Në fokus të bisedimeve ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, forcimi i shtetit të së drejtës, si dhe vijimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në axhendën e takimeve u përfshinë gjithashtu biseda me Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, zëvendësministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, si dhe kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Në përfundim të takimeve, Krichbaum u shpreh se Gjermania dëshiron ta shohë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Evropian, por theksoi se ky proces kërkon vijimin me vendosmëri të reformave, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës dhe në luftën e palëkundur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por nënvizoi se vendi ndodhet në një moment vendimtar, ku rruga drejt BE-së duhet të çojë përpara me zbatim konkret të reformave të radhës. Sipas tij, suksesi i këtij procesi kërkon angazhim të guximshëm dhe bashkëveprim konstruktiv të të gjitha institucioneve dhe aktorëve politikë, në përputhje me përgjegjësitë e tyre kushtetuese.
Vizita e ministrit gjerman në Tiranë u fokusua në thellimin e dialogut politik dhe në nxitjen e reformave që konsiderohen thelbësore për avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.