Ndryshime në Kodin Penal: Parkimi dysh bëhet vepër penale, rritet mbrojtja për gazetarët

Në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme është diskutuar dhe miratuar një paketë ndryshimesh në Kodin Penal, në një mbledhje të zhvilluar pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët ndodheshin në terren për përgatitjet e protestës së paralajmëruar për të shtunën.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me parkimin në rresht të dytë të automjeteve, i cili deri më tani ndëshkohej me gjobë administrative, por sipas ndryshimeve të miratuara do të klasifikohet si vepër penale e dënueshme me burg. Argumentet për ashpërsimin e masave u paraqitën nga relatori i mazhorancës, deputeti Ervin Hoxha.

Sipas tij, qëllimi i ndryshimit është rritja e sigurisë rrugore dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve, duke ndëshkuar parkimet që pengojnë qarkullimin e mjeteve emergjente. Po ashtu, synohet parandalimi i bllokimeve të rrugëve dhe pengesave serioze për këmbësorët, forcimi i efektit parandalues të ligjit penal dhe krijimi i një kuadri ligjor më të qartë për ndërhyrje të shpejta nga institucionet ligjzbatuese në situata emergjente.

Ndryshimet në Kodin Penal përfshijnë gjithashtu dekriminalizimin e veprës penale të shpifjes, si dhe masa të reja për rritjen e mbrojtjes ligjore të gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas paketës së propozuar, sulmi, kërcënimi apo intimidimi ndaj një gazetari do të trajtohet me të njëjtin seriozitet si veprat e kryera ndaj një punonjësi të shtetit.

Deputeti Ervin Hoxha theksoi se goditja e një gazetari për shkak të detyrës do të dënohet me burg nga një deri në pesë vite, duke synuar forcimin e sigurisë fizike dhe ligjore të medias.

Në të njëjtën mbledhje u miratuan edhe disa ndryshime në ligjin për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se këto ndryshime synojnë krijimin e një sistemi të ri elektronik për kontrollin dhe parandalimin e trafikut të paligjshëm të armëve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033