Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një takim me ministrin për Europën në Ministrinë e Jashtme Gjermane, Gunther Krischbaum, ku në qendër të diskutimit ka qenë procesi i integrimit europian të Shqipërisë.
Në deklaratën e tij, Bardhi theksoi se integrimi në Bashkimin Europian duhet të jetë një proces real, i bazuar në përmbushjen e standardeve europiane dhe jo, sipas tij, një justifikim për të mbuluar problematikat e keqqeverisjes.
“Integrimi Europian i Shqipërisë duhet të jetë një proces që synon implementimin e standardeve europiane në vend dhe jo të përdoret si justifikim për të mbuluar keqqeverisjen. Opozita mbështet plotësisht procesin e integrimit të bazuar në standarde dhe në meritë”, u shpreh Bardhi.
Ai theksoi se në këtë proces mbeten jetike garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeverisja e mirë në funksion të qytetarëve, lufta kundër korrupsionit dhe lidhjeve të qeverisjes me krimin e organizuar, si dhe funksionimi i pavarur dhe me integritet i organeve të drejtësisë, në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës.
Sipas Bardhit, po ashtu thelbësor mbetet funksionimi demokratik i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit të Shqipërisë, si një kusht i domosdoshëm për avancimin e procesit të integrimit europian të vendit.