Policia e Tiranës ka arrestuar dy shtetase, të cilat dyshohet se kanë goditur fizikisht një oficere policie në hyrje të ambienteve të një komisariati në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga kanë rënë shtetaset M. A., 38 vjeçe, dhe R. A., 29 vjeçe. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të Komisariatit të Policisë Nr. 3, ku dyshohet se dhunimi i oficeres është kryer për shkak të detyrës së saj.
Pas ndërhyrjes së strukturave policore, të dyja shtetaset janë arrestuar, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.