Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po merr pjesë në Stamboll në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të ministrit të Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.
Platforma synon të shërbejë si një tryezë dialogu për forcimin e bashkëpunimit rajonal, me fokus në ndërlidhjen infrastrukturore, zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike, integrimin evropian dhe ruajtjen e paqes në Ballkan. Në këtë kuadër, Shqipëria dhe Kosova janë ftuar të jenë pjesë e Bordit të Paqes për Rindërtimin e Gazës.
Gjatë diskutimeve, ministri turk i Jashtëm, Hakan Fidan, theksoi rëndësinë e këtij mekanizmi të ri për ndërtimin e paqes, i krijuar nga Donald Trump, në një periudhë të karakterizuar nga pasiguri dhe tensione ndërkombëtare. Në fjalën e saj, ministrja Spiropali deklaroi se Shqipëria është e gatshme të marrë përgjegjësitë që i takojnë si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
Sipas saj, bashkëpunimi me aleatët strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfaqëson një kapitull të ri në përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në nivel global.
Në kuadër të vizitës në Turqi, Spiropali zhvilloi gjithashtu një takim dypalësh me ministrin Hakan Fidan, ku u diskutua për partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë. Ajo theksoi se ky bashkëpunim pritet të marrë një peshë të re me zhvillimin e takimit të tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes dy vendeve, i cili parashikohet të mbahet gjatë këtij viti.
Gjatë qëndrimit në Turqi, ministrja Spiropali pritet të zhvillojë edhe një takim me Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Platforma për Paqe Ballkanike është një nismë e Turqisë që synon rritjen e dialogut politik dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në një kontekst të shënuar nga sfida të reja gjeopolitike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore.