Policia e Lushnjës ka arrestuar në flagrancë një 19-vjeçar, i cili dyshohet se për rreth dy muaj ka strehuar dhe shfrytëzuar për prostitucion një shtetase braziliane 25 vjeçe.
Arrestimi u krye në fshatin Karbunarë e Madhe, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pitstop”, i cili u finalizua falë informacioneve të siguruara në rrugë operative. I arrestuari është shtetasi me inicialet S. M., banues në këtë zonë.
Sipas hetimeve, 19-vjeçari kishte strehuar shtetasen braziliane me inicialet L. S. në ambiente të ndryshme, ndërsa së fundmi në banesën e tij, duke e shfrytëzuar për prostitucion. 25-vjeçarja ushtronte prostitucionin në ambiente të tjera.
Në vijim të veprimeve procedurale, ndaj shtetases braziliane ka nisur procedim penal për veprën penale “Ushtrimi i prostitucionit”. Gjatë operacionit, policia sekuestroi edhe dy aparate celularë në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.